Avancimi i sistemit të ndërmjetësimit prioritet i sistemit të drejtësisë
Prishtinë, 14 nëntor - Është mbajtur tryeza me titull “Avancimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Kosovë”, tryezë në të cilën kanë marrë pjesë kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave të Kosovës.
Kjo tryezë është mbështetur nga UNDP përmes projektit “Përfaqësimi i qasjes në drejtësi dhe i reformës së sundimit të ligjit në Kosovë” dhe financuar nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.
Në këtë tryezë ka folur zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arben Ismajli, i cili para pjesëmarrësve tha se ndërmjetësimi si veprimtari jashtëgjyqësore është mundësi e mirë për zvogëlimin e lëndëve nëpër prokurori dhe gjykata të Kosovës.
Po ashtu, zëvendëskryesuesi Ismajli foli edhe për veprimet e marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me funksionalizimin sa me të mirë të ndërmjetësimit nëpër prokurori, duke u fokusuar në punën që është bërë në hartimin e akteve nënligjore të hartuara nga KPK-ja, që rregullojnë fushën e ndërmjetësimit.
Ndërsa, prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, foli për mundësit e mira që sjell ndërmjetësimi në sistemin e drejtësisë, por edhe për sfidat e implementimit të tij.
Prokurori Kelmendi me tutje paraqiti të gjeturat lidhur me sfidat e implementimit të ndërmjetësimit në praktikë, gjatë takimeve të mbajtura me administratorë dhe referentë të ndërmjetësimit të prokurorive dhe gjykatave.
Lidhur me punëtoritë dhe tryezat të organizuara për mbështetjen e implementimit të ndërmjetësimit foli Menaxheri i projektit të UNDP-së, për fuqizimin e sundimit të ligjit, Ardian Latifaj.