Autopsia, Hamdi Sopa është vrarë
Prishtinë, 4 shkurt - Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sot nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, ka pranuar raportin e autopsisë, për tani të ndjerin Hamdi Sopa.
Bazuar nga rezultati i këtij raporti konstatohet se në rastin konkret kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje, prandaj prokurori Blerim Isufaj, i ngarkuar me rastin, sot morri vendim për fillimin e hetimeve dhe ka urdhëruar arrestimin e personave që në momentin kritik kanë qenë prezent në banesën e të ndjerit Sopa, në të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Prokurori Isufaj ka kërkuar nga gjykata të lëshoj urdhëresë për bastisjen e banesës së të ndjerit dhe njëkohësisht ka propozuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarit.
Me këtë rast Prokuroria njofton se nuk posedon asnjë videoincizim me telefon celular, siç është shkruar në njërën nga gazetat e përditshme në vendin tonë.
Prokuroria është njoftuar nga Policia e Kosovës se as Policia nuk posedon incizime të tilla. Prokuroria bën thirrje opinionit publik, që nëse dikush posedon incizim të tillë të ia dorëzoj prokurorisë.