Austri, plagosen 2 shqiptarë në një restorant
Vjenë, 5 shkurt - Dy të rinjtë shqiptarë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë në një restorant në Austrisë.
Sulmi ndodhi në Worgl, ku dy të rinjtë shqiptarë, të moshës 19 dhe 25 vjeç po kalonin rastësisht pranë restorantit.
Policia ka saktësuar se shënjestra e sulmit ka qenë restoranti dhe jo dy shqiptarët. Sipas saj, persona të armatosur nisën të qëllonin me breshëri plumbash restorantin, dhe për pasojë mbetën të plagosur edhe dy shqiptarët.
Pronari i restorantit është një shtetas turk dhe policia dyshon se mund të bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj tij. Sipas saj shtetasi turk ka patur mosmarrëveshje me disa shtetas të tjerë shqiptarë.
Gjithsesi, pronari i restorantit nuk ka pranuar versionin e policisë, duke thënë se sulmi nuk kishte të bënte me shqiptarët, por me ekstremistët e djathtë austriakë.
Ai tha se këto grupe ekstremiste, kishin vizatuar në muret e jashtme të restorantit simbolet naziste pak kohë më parë. Policia austriake njoftoi se po merr masa që të zbardhë të plotë ngjarjen.