Asnjë gjykatë në Serbi nuk ka të drejtë të gjykoj qytetarët e Kosovës
Kryeministrit Mustafa tha se Republika e Kosovës dhe Serbia po zhvillojnë dialog dhe përmes dialogut po i sqarojnë relacionet dhe po përpiqen që të normalizojmë marrëdhëniet në mënyrë që të krijojnë kushte që Serbia të kryej fushëveprimin e vet në territorin e vet, dhe Kosova në territorin e saj.
Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës reagojmë ndaj një procesi farsë gjyqësor në Serbi që dje dënoi tetë eprorë dhe pjesëtarë të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-eprorët e kësaj Brigade, tashmë deputetë të Republikës së Kosovës, Anton Quni dhe Rrustem Berisha, si dhe gjashtë bashkëluftëtarë të tyre Xhafer Gashi, Demush Gacaferri, Demë Maloku, Agon Isufi, Rabit Alija dhe Sheqeri Maloku, janë dënuar dje në mungesë nga një gjykatë në Nish të Serbisë.\"
\"Asnjë gjykatë në Serbi nuk ka të drejtë të gjykoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Aq më pak të zhvilloj procese gjyqësore ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë zhvilluar luftë çlirimtare duke respektuar ligjet dhe zakonet e luftës, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do ti njoftojë partnerët ndërkombëtarë për këtë tendencë dhe do të kërkojë prej tyre që të ushtrojë trysni ndaj Serbisë për të ndërprerë farsat e tilla gjyqësore dhe ndjekjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës me akuza të pabaza dhe krejtësisht jashtë standardeve juridike ndërkombëtare.
\"Asnjë vendim i djeshëm i kësaj gjykate ndaj tetë qytetarëve të Republikës së Kosovës, eprorë të nderuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë proces tjetër nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi dhe nuk do të mund të zbatohet asnjëherë, sepse gjykatat e Serbisë nuk kanë juridiksion të procesojnë çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe qytetarët e saj, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe për Serbinë qytetarët e Republikës së Kosovës janë shtetas të huaj, tha kryeministri Isa Mustafa.