Askush më nuk e përmend verën për heqjen e vizave për Kosovën
Prishtinë, 17 qershor - As në mesin e opsioneve më optimiste nuk mund të llogaritet që BE-ja mund tua heqë vizat qytetarëve të Kosovës këtë verë, ndërkohë që mund të ndodhin komplikime të reja në këtë proces pasi që ka ende vende skeptike ndaj një vendimi të tillë.
Fjala është sa për procedurat që duhet ndjekur në Parlamentin Evropian dhe në Këshill aq edhe për shkak të rezervave që në takimet e brendshme të grupeve punuese i shprehin përfaqësuesit e disa shteteve anëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Por gjithsesi procedurat janë në vazhdim e sipër si në Këshillin e BE-së ashtu edhe në Parlamentin Evropian.
Komisioni për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian ka zhvilluar të enjten debatin e parë rreth raportit për heqjen e vizave për Kosovën në procesin e dhënies së pëlqimit për një gjë të tillë pasi kohë më parë Komisioni Evropian kishte dhënë rekomandimin.
/Koha Ditore/