Ashton: Rendi dhe ligji, çështje me rëndësi për Kosovën
Prishtinë, 27 maj - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Cathrine Ashton deklaroi sot gjatë vizitës në selinë e EULEX-it në Prishtinë, se vendosja e ligjit është një çështje kryesore për të ardhmen e Kosovës.
Në këtë mëngjes të bukur unë dëshiroj të them se është kënaqësi për mua që ndodhem përsëri në Prishtinë dhe që kam mundësinë të jem këtu në selinë e EULEX-it bashkë me Shefin e Misionit, Mr Bout de Marnhac", tha ajo.
Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian sipas saj e përkrahin në tërësi Misionin dhe punën të cilën është duke u munduar ta bëjë ai.
"Përballja me çështjet e rendit dhe ligjit është vërtetë me rëndësi. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e Kosovës. Është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve dhe është element thelbësor për ambiciet të cilat ju i keni lidhur me punën tuaj dhe zhvillimin tuaj me Bashkimin Evropian, tha gjatë fjalës së saj Ashton.
Përfaqësuesja e lartë e BE për Politikën e Jashtme u shpreh se është e rëndësishme që ky mision të ketë mbështetjen e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian.
Është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjithë ne ta përkrahim këtë mision, ashtu siç e bëjmë ne në Bashkimin Evropian, dhe se ne e çmojmë rëndësinë e punës që është duke u bërë, por gjithashtu, siç e thashë, që kam rastin të them se kam kënaqësi të madhe që ndodhem këtu në Prishtinë dhe që e kam mundësinë të diskutoj me Kryeministrin dhe ministrat tjerë për rëndësinë e të ardhmes për Kosovën. Ju faleminderit shumë dhe shpresoj të kalojmë një ditë të këndshme, ka përfunduar baronesha Ashton.