Arrin grupi i parë i kosovarëve nga Egjipti
Prishtinë, 4 shkurt - Aleanca Kosovare e Re (AKR) përmes një konference për shtyp, bëri të ditur se, situata e rënduar e ditëve të fundit në Egjipt, solli domosdoshmërinë e tërheqjes së shtetasve të huaj nga ky shtet.
Nënkryetarja e ARK-së, Mimoza Kusari tha se, me iniciativën e disa studentëve të cilët studiojnë në Kajro, është kontaktuar presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli për tu ofruar ndihmën e tij për një evakuim sa më të shpejtë.
Kësaj kërkese ai i është përgjigjur pozitivisht dhe në kontakt me këta studentë ai ka siguruar një listë me rreth 163 persona, jo vetëm studentë por edhe familjarë dhe punëtorë që jetojnë në Kajro, Aleksandri dhe Sharm el Sheik, deklaroi zonja Kusari.
Nga kjo iniciativë siç njoftoi ajo është arritur që sot të mbërrijë në Kosovë grupi i parë i kosovarëve të evakuar me ndihmën e z. Pacolli, të cilët do të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës në orën 13:25 përmes linjës Turkish Airline. Nisja e tyre është bërë sot në orën 03:40 të mëngjesit nga Aeroporti i Kajros.
Grupi i parë i kosovarëve që kanë arritur në Kosovë: Berat Durguti; Samire Durguti; Emrush Muharremi; Havishe Sadiki; Sara Muharremi; Zehra Muharremi; Shefik Sadiku; Sebastian Aurel; Besmir Lutfiji; Ali Lama; Edmond Garuja; Engjellushe Garuja; Abdullah Garuja; Enes Garuja; Elham Amidi; Rifat Alioski; Muharem Jakupi; Ibrahim Sherifi;Adnan Spahia;Liridone Musliu; Alban Malsiu; Kubra Shaban.
Ndërkohë, Sipas AKR-së, janë edhe 10 persona të tjerë udhëtimi i të cilëve në linjën Kajro-Stamboll ka qenë sot në orën 9:30 nga por si rezultat e shtyrjes së fluturimit për në orën 11:25, e kanë të pamundur të arrijnë fluturimin Stamboll-Prishtinë të orës 12:50, prandaj ata do të akomodohen në një hotel në Aeroportin e Stambollit dhe do të mbërrijnë nesër në Aeroportin e Prishtinës në orën 13:25.
13 shtetas të Kosovës nuk kanë arritur të udhëtojnë nga Kajro për në Stamboll pasi që Ambasada e Kosovës në Ankara i ka pajisur me fletë udhëtime për foshnjat nën moshën 2 -vjecare që janë kopje, e jo dokumente originale, bëri të ditur zonja Kusari.
Mësohet se edhe 17 personave të tjerë që ndodhen në Sharm el Sheik në kufi me Jordaninë, u është mundësuar kalimi për çdo rrezik të mundshëm, në Jordani, me pasaportë të Kosovës pa vizë por vetëm duhet të kenë një vulë të Egjipitit për personat të cilët duhet të evakuohen.