Arrestohet Ylli Hoxha, mbrohet uzurpatori Feim Salihu
Prishtinë, 18 shkurt - Policia e Kosovës arrestoi sot asambleistin e Lëvizjes Vetëvendosje! Ylli Hoxha, derisa po shkonte në mbledhjen e Komitetit për Politike dhe Financa në Komunën e Prishtinës.
Policia e Kosovës kishte lëshuar fletarrest dy ditë më parë ndaj Ylli Hoxhës, për shkak të protestave që po mbahen te KRM Pastrimi, me akuzën për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës, duke aluduar në Feim Salihun, si person zyrtar. Feim Salihu nuk është person zyrtar, por është uzurpator i KRM Pastrimi.
Feim Salihu është shkarkuar nga bordi i ndërmarrjes, dhe tash ka edhe vendim të Gjykatës që zgjedhja e tij në atë pozitë ka qenë e paligjshme. Policia e Kosovës është dashur ta largojë tashmë nga vendi i punës atë uzurpator.
Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Skënder Hyseni i LDK-së, nuk po e lejon Policinë e Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës, por po i përdorë ata si instrument politik për ta shpëtuar uzurpatorin Feim Salihun, dhe për ta shtypur çdo protestë kundër tij.
Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të mos bëhet instrument i këtij pushteti shtypës e kriminal, por ti shërbejë qytetarëve të vetë, dhe ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht asambleistin Ylli Hoxha, që është i zgjedhur i popullit dhe në shërbim të popullit.