Arrestohet uzurpuesi i Shpellës së Gadimes
Prishtinë, 3 prill - Pretenduesi i Shpellës së Gadimes, është arrestuar bashkë me të birin nga Policia e Kosovës për shkak të kërcënimeve ndaj punonjësve të kësaj shpelle.
Nazif Tasholli, ndaj të cilit MMPH-ja i ka ngritur tri padi penale, ditë më parë i kishte dorëzuar çelësat e \"Shpellës së Gamimes\", por të mërkurën ai i ka prishur marrëveshjet e arritura me MMPH-në dhe bashkë me të birin e kanë kërcënuar një punonjës nga stafi i ri i kësaj shpelle.
Kjo nuk është hera e parë që Nazif Tasholli i kërcënon punonjësit e shtetit, edhe pse është arritur një marrëveshje me të. I njëjti është përgjegjës për shkatërrim dhe përfitim material nga Shpella, e cila, sipas të gjitha raporteve, është kthyer në gjendje të mjerueshme dhe të cilën MMPH-ja tashmë e ka marrë nën përkujdesje, është thënë në një komunikatë të MMPH-së.
Ditë më parë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, gjatë një vizite që ia ka bërë ministrit Dardan Gashi, ia ka shprehur mbështetjen e parezervë, për vendosmërinë e ministrit që \"Shpella e Gadimes\" të mbrohet nga shteti për ti ruajtur karakteristikat e saj dhe tërheqjen e turistëve në këtë pikë turistike.