Arrestohet Ukë Rugova, dyshohet për krim të organizuar
Sipas njoftimeve të para, atij i është shqiptuar ndalimi prej 48 orësh "nën dyshimet për krim të organizuar".
Në orët e mëngjesit të mërkurës, forcat policore të EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e zotit Rugova në lagjen Velania të Prishtinës.
Operacioni po zhvillohet edhe nëpër mjedise tjera për kapjen e të dyshuarve të tjerë, gjithashtu nën dyshimet për krim të organizuar.
Operacionin e bastisjeve "nën dyshimet për kapjen e një grupi të dyshuar kriminal", e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
"Sot në mëngjes ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestimi ndaj një grupi të pandehurish të cilët janë të dyshuar të jenë përfshirë në një grup kriminal që dyshohen për kryerjen e veprave penale të Krimit të organizuar, Mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit", ka deklaruar Krasniqi".
"Të pandehurve janë duke ju bastisur shtëpitë. Operacioni është pjesë një hetim të përbashkët i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it", ka thënë ai.
Subjekti politik që drejton Ukë Rugova, me emrin "Lista Ibrahim Rugova", është pjesë e koalicionit qeverisës që drejtohet nga Hashim Thaçi.
Po nga ky subjekt politik, EULEX-i kishte arrestuar edhe zëvendëskryeministrin Bujar Bukoshi, por ai pas procesit gjyqësor qe liruar si i pafajshëm.