Arrestohet polici për mashtrim dhe bixhoz të paligjshëm
Prishtinë, 27 shkurt - Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e pasdites një zyrtar policor punonjës në Stacionin Policor në Gjilan me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale mashtrim dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Arrestimi i tij është bërë në sot në orët e pasdites nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Përpelnicë komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: Një telefon Samsung, Një kartelë Vala, Një kartelë Ipko, Një tabletë i markës Lenovo, Një kompjuter i markës HP, si dhe Një USB.
I dyshuari pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.