Arrestohet polici i dyshuar për vrasjen e Bekim Birinxhikut
Prishtinë, 2 nëntor - Sot rreth orës 16:00, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion së në qytetin e Skenderajt, në rrugën Skenderbeu, në afërsi të xhamisë ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenit një person ka mbetur i plagosur.
Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar V. G. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, pas një mosmarrëveshje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës B. B.
Viktima e këtij rasti si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë rreth orës 16:30 në emergjencën e spitalit të Skenderajt.
Bazuar në autorizimet ligjore që ka Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), hetuesit e saj kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin që është prezent aty.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se deri te ky incident ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje që ka ndodhur në mes të dy personave, ku si pasojë e saj ka ardhë edhe deri te vrasja me armë zjarri.
Personi i dyshuar në këtë rast zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.
Si pjesë e procedurës hetimore IPK ka konfiskuar një armë GLOCK 9x19 që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast dhe një karikator me 13 fishekë 9mm.
Rasti është klasifikuar si vrasje bazuar në nenin 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës