Arrestohet për shkak se prodhonte Coca Cola false
Prishtinë, 25 shtator - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), njësiti në Pejë, ka bërë të ditur se ka bërë arrestimin e personit të dyshuar, ku i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.
Hetuesit policorë duke u bazuar në informacionet e grumbulluara nga terreni, dje më 24.9.2013, rreth orës 15:00, në një lagje në qytetin e Pejës, kanë zbuluar se i dyshuari M. P. në oborrin e shtëpisë së tij bën prodhimin e pijeve të gazuara me mjete primitive.
Zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes (në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit), kanë gjetur: 120 shishe qelqi 0.25 litërshe të mbushura me Coca Cola, 7 shishe 2 litërshe të mbushura me Coca Cola si dhe një sasi të shisheve të zbrazura që ishin të dedikuara për tu mbushur, e të cilat më vonë do të dalin në treg.
I dyshuari nuk kishte licencë për biznes për prodhimin e pijeve apo artikujve ushqimorë, kështu që në vendin e ngjarjes janë ftuar inspektorët e tregut dhe ata sanitarë.
Sasia e lëngjeve është konfiskuar dhe asgjësuar nga ana e inspektorëve sanitarë, ndërsa nga i dyshuari janë konfiskuar pajisje për mbylljen e shisheve të Coca Colës.
I dyshuari është intervistuar dhe pas marrjes së deklaratës me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.