Arrestohet për kontrabandim me migrantë dhe falsifikim dokumenteve
Prishtinë, 21 korrik - Në vazhdën e hetimeve, lidhur me operacionin e ndërmarrë ditë më parë e që kishte të bënte me një rrjet të krimit të organizuar më konkretisht kontrabandim me migrantë dhe falsifikim të dokumenteve policia kufitare ka bërë arrestimin e personit të dyshuar të dhjetë I. R lindur më 1970, lidhur me këtë rast.
NJHDPK (njësia e hetimeve të departamentit të policisë kufitare) më urdhër të Gjyqtares së procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka bërë bastisjen e dy lokaleve në dy lokacione të ndryshme në qytetin e Prishtinës.
Lokalet ku i dyshuari kishte ushtruar veprimtarinë e tij kundërligjore funksiononin si shtypshkronja.
Gjatë bastisjes së këtyre lokaleve, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale:
Një makinë e prodhimit të ID-ve të ndryshme
Dy shtëpiza kompjuterike
Tre patentë shofer të republikës së Kosovës
Tre patentë shofer të shtetit finlandez
Një letërnjoftim
Banderola të Shqipërisë,
Bileta parkingu të QKUK-së.
Të gjitha këto gjëra tashmë të konfiskuara dyshohet të jenë të falsifikuara dhe të prodhuara nga i dyshuari I. R.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.