Arrestohet për keqpërdorim te kartelave të bankës
Prishtinë, 25 prill - Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve të saj, në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftimit të dukurive negative, duke përfshirë edhe identifikimin e personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale, gjatë punës operative-hetimore me datë 23 prill rreth orës 06:30, në Prishtinë, ka realizuar një operacion të suksesshëm policor.
Gjatë këtij operacioni policor është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar mashkull shtetas i Bullgarisë, pasi që ekzistonte dyshimi i bazuar se i njëjti kishte vendosur në një bankomat të një banke në Prishtinë, pajisje të modifikuar elektronike me qëllim të vjedhjes së të dhënave bankare të klientëve dhe klonimin e kartelave bankare.
Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar pajisjet e vendosura në bankomat, një veturë Ford Fiesta me targa të huaja, një telefon celular dhe pasaportën e personit të dyshuar.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura tjera sipas ligjit.