Arrestohet pasi shantazhoi të dëmtuarën se do t’i publikonte fotografi denigruese
Prishtinë, 20 janar - Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zbatimit të Masave të Fshehta të Hetimit dhe Vëzhgimit nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve të Stacionit Policor të Fushë Kosovës dhe asistencës nga Njësitë relevante të Stacionit Policor të Ferizajt, sot në orët e mëngjesit, në sheshin e qytetit të Ferizajt, është arrestuar në flagrancë i pandehuri E.H, për shkak të veprës penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së.
E.H me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kanosur të dëmtuarën, duke i kërkuar shumën prej 1,500.00 € ose në të kundërtën do t’i postonte disa fotografi denigruese në rrjetet sociale, me të cilat do t’ia dëmtonte nderin dhe autoritetin e saj.
Të dyshuarit, gjatë zbatimit të masës së fshehtë të hetimit, i janë gjetur të hollat e pranuara nga e dëmtuara dhe të njëjtat i janë sekuestruar si prova materiale.
Personi me inicialet E.H., është nën masën e ndalimit prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit, Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerre masat e nevojshme procedurale-ligjore.