Arrestohet një person për veprën penale marrje e ryshfetit
Prishtinë, 17 qershor - Dje në orën 14:10, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Ferizaj, pas një pune hetimore ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin N. V. mashkull shqiptar kosovar, me pozitë anesteziolog në spitalin rajonal të Ferizajt, nën dyshim se ka kryer veprat penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Bazuar në hetimet preliminare policore personi i dyshuar tashmë i arrestuar, duke keqpërdorur pozitën e tij ka kërkuar dhe ka pranuar nga një qytetar 100 ryshfet, me qëllim që ti mundësojë operimin e djalit të tij 9 muajsh, punë të cilën ishte i thirrur ta kryente në kuadër të punës së tij.
Pas arrestimit dhe gjatë bastisjes tek i dyshuari gjatë kontrollimit janë gjetur dy kartëmonedha 2x50=100 euro, të cilat janë konfiskuar në cilësi të provës materiale.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim me prokurorin përkatës dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.