Arrestohet një person për fajde dhe shpërlarje parashë
Prishtinë, 12 nëntor - Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, pas një pune intensive hetimore rreth dy vjeçare, sot ka bërë kontrollimin e dy objekteve të banimit si dhe të një lokali afarist, sipas urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente.
Si rezultat i këtij operacioni policor është arrestuar personi i dyshuar: N.B nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Fajde” dhe “Shpërlarje parashë”.
Gjatë kontrollimit të këtyre lokacioneve, si prova materiale janë konfiskuar: Para të gatshme në vlerë prej 5000 euro (pesëmijë euro), Katër fletëpagesa në vlerë prej 115,203.46 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë e dyqind e tre euro), Një folder, Një Llaptop, Katër fletore, Tri fletë-deponime të bankës dhe Një kompjuter.
Gjërat materiale të cilat janë konfiskuar do të analizohen në hollësi për të sqaruar gjendjen faktike mbi bazën e dyshimeve të ngritura kundrejt të dyshuarit.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës , dhe pas intervistimit me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale, të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.