Arrestohet një person në pikëkalimin kufitar në Vërmicë për dhënie ryshfeti
Prishtinë, 6 gusht - Policia e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot në orën 05:55 minuta, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri - Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrollave të kalimit kufitar.
Shtetasi shqiptar me inicialet Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.
Me këtë rast zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale.
Pas perfundimit të procedurave personi i dyshuar, me urdhër të prokurorit është dërguar në qëndrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa.