Arrestohet një person në Klinë për falsifikim të listave te veteranëve
Pejë, 29 maj - Prokuroria Themelore e Pejës njofton se sot pas kërkesës së kësaj prokurorie, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Klinë, ka realizuar bastisje në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për krime ekonomike, në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Gremnik të komunës së Klinës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit Xh.M., janë gjetur dokumentacione të falsifikuara që ndërlidhen me listat e veteranëve.
I dyshuari Xh.M. është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa prokurori i shtetit për të lartcekurin ka marr aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Javën e kaluar, Prokuroria Themelore e Pejës, lidhur me listat e veteranëve luftëtarë të UÇK-së, ka ngritur 20 aktakuza, kundër 21 personave, për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes se rreme”, nga neni 403, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ​