Arrestohet i dyshuari për shpërdorim te pozitës zyrtare
Prishtinë, 21 gusht - Njësiti rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, sot rreth orës 11:00 ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pas informatave të grumbulluara nga pista të ndryshme me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, janë marrë dosjet e tenderit në Kuvendin Komunal në Prizren, dosje këto që kishin të bëjnë me dyshimet se punonjësi komunal i zyrës së prokurimit m/sh/k, ka zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit pasi që është bërë furnizimi me artikuj (dhurata për vitin e ri për të gjithë zyrtarët komunalë në Prizren) që ishin të parapara në kontratë.
Pas analizimit të tenderit hetuesit policor e kanë vërejtur se komisioni për vlerësimin e ofertave nga Kuvendi Komunal në Prizren ka shpërfillur ligjet e prokurimit në fuqi.
Vlera e këtij tenderi kap shumën prej 42. 000 (dyzet e dy mijë) euro.
Në konsultim me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.