Arrestohet i dyshuari për Falsifikim të parasë

Prishtinë, 25 janar - Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda në Prishtinë, përmes rrugëve operative-hetimore ka pranuar informacione për disa persona të cilët dyshohet që merreshin me veprimtari kriminale gjegjësisht krim të organizuar dhe falsifikim të parasë.
Me të marrë informatën hetuesit janë aktivizuar për të filluar hetimet dhe në vazhdimësi të hetimit të këtij rasti dje në orët e pasdites kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Ferizajt.
Ky operacion ka rezultuar me arrestimin e një personi me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Falsifikim i parasë sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës neni 244 paragrafi 1.
I dyshuari tanimë i arrestuar është identifikuar si: H. N , i lindur më 11.03.1954, m/sh/k
Te i dyshuari nga policia janë gjetur dhe konfiskuar 148.500 $ (Njëqind e dyzet e tetë mijë e pesëqind) dollarë bankënota që dyshohen të jenë të falsifikuara.
Gjithashtu mbrëmë, me urdhër të Prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit H.N, në rajonin e Ferizajt, me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me veprat penale të përmendura më lart.
Me autorizim të prokurorisë Publike të Qarkut Prishtinë, personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, ndërsa njësitë përkatëse policore janë duke vazhduar hetimet në drejtim të identifikimit të të dyshuarve të tjerë të mundshëm.