Arrestohet i dyshuari për fajde
Prishtinë, 30 janar - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Pejë, me 28 janar ka bërë arrestimin e personit të dyshuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të fajdes.
Hetuesit policorë nga kjo drejtori me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë janë urdhëruar që ta bëjnë sekuestrimin e përkohshëm të automjetit të tipit mercedes.
Vetura duhej të sekuestrohej pasi që i dyshuari ia kishte marrë ankuesit si garancion për kthimin e shumës së huazuar prej 10.000 (dhjetëmijë) eurosh me kamatë mujore 10%.
Nga hetuesit policorë të njësisë së hetimeve të krimeve ekonomike dhe korrupsionit i dyshuari L. A. lindur më 1968, është intervistuar në prezencë të avokatit.
Lidhur me këtë rast të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërkohë që hetuesit policorë janë duke zhvilluar veprimet e mëtutjeshme hetimore.