Arrestohet i dyshuar për vrasjen e Hakif Mehmetit
Mitrovicë, 10 shtator - Është arrestuar Lubisha Vujinoviç, pjesëtar i Policisë së Kosovës, njëherit punëtor edhe i MUP-it të Serbisë, si i dyshuar në lidhje me vrasjen e Hakif Mehmetit, tri ditë më parë në veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti tha për Kosovapress se te i dyshuari është gjetur ID-ja e MUP-it të Serbisë dhe kartela identifikuese, që e dëshmojnë veprimtarinë e tij të dyfishtë.
Sipas tij, hetimet për vrasjen kanë orientuar në zbulimin e veprimtarisë ilegale të policit serb të Kosovës.
Ai shtoi se para se të ndodhte vrasja, viktima kishte qëndruar në lokalin e Vujinoviçit, ndërsa ky i fundit e kishte dërguar atë në spital.