Arrestohen tre zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë
Prishtinë, 30 prill - Sipas urdhrit të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë/Agjencia e Metrologjisë.
Zyrtarët e arrestuar janë: B.S., V.A. dhe D.H., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mashtrim i blerësve në bashkëkryerje, nga neni 299 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit: B.S. dhe V.A., të cilët pritet që sot të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake në Prishtinë, në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit. Ndërsa e dyshuara D.H. pas intervistimit në Prokurori është liruar në procedurë të rregullt.
Në kuadër të këtij rasti pritet të zgjerohen hetimet edhe ndaj subjekteve dhe personave tjerë, të cilët kanë kontribuar që të licencohet dhe instalohet tipi i njehsorit të prodhuesit KOHLER AEL.TF 04-01 në tregun Kosovar.
Ky rast është pjesë e Procedurave të Standardeve të Veprimit, ku është punuar dhe do të vazhdohet të punohet me ekip të veçantë deri në përfundimin e të gjithave procedurave.