Arrestohen tre të dyshuar për marrje dhe mundësim të prostitucionit
Prishtinë, 18 korrik - Operacioni policor për arrestimin e dy të dyshuarve kosovarë dhe një të dyshuare shtetase e Moldavisë i koduar me emrin Ali Baba, ka filluar së realizuari pas mesnatës në një lokal - kafe bar në Prizren.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, njësia në Prizren gjatë realizimit të këtij operacioni ishte e asistuar edhe nga njësite të tjera të stacionit policor të Prizrenit.
Gjatë operacionit policor që ishte i koordinuar edhe me prokurorinë kompetente policia ka arrestuar tre të dyshuar, duke përfshirë këtu edhe pronarin e lokalit, me dyshimin e bazuar se të njëjtit mundësonin, respektivisht zhvillonin veprimtarinë kriminale të prostitucionit.
Policia në bazë të procedurës hetimore dhe masave të fshehta ligjore ka pasur dyshimin e bazuar se e dyshuara A. M. (1984) shtetase e Moldavisë, përpos punës së saj si valltare në këtë lokal është marrë edhe me prostitucion, duke ofruar shërbime seksuale me pagesë për klientelën që i është siguruar nga të dyshuarit tashmë të arrestuar.
Personave të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.