Arrestohen tre të dyshuar për grabitje me armë
Prishtinë, 15 maj - Zyrtarë policorë nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar (DKKO) dje kanë arrestuar të dyshuarin Fanol G për një rast grabitje të armatosur që ishte raportuar në stacionin policor Qendra.
Arrestimit i ka paraprirë një punë intensive hetimore disa javore dhe për të dyshuarin e lartcekur gjykata kishte lëshuar edhe një urdhër-arrest.
I dyshuari është lokalizuar nga zyrtarët policorë në lagjen Kalabria të Prishtinës derisa për arrestimin e të njëjtit kanë asistuar edhe Njësiti Special Intervenues (NJSI).
Pas lokalizimit i dyshuari ka tentuar që të ikë nga policia por i njëjti nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë dhe ka përfunduar i prangosur.
Policia këtë të dyshuar e kishte identifikuar gjatë procedurës hetimore dhe ditë më parë para arrestimit, ka kërkuar të njëjtin në disa lokacione të ndryshme si dhe ka bastisur edhe shtëpinë e të njëjtit në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë.
Rasti i grabitjes ishte raportuar rreth dy muaj më herët (17.03.2012) ku tre të dyshuar në një lokal në rrugën Perandori Justinian nën kërcënimin e armëve kanë grabitur viktimat në këtë lokal duke marrë disa telefona mobil dhe gjësende të tjera.
I dyshuari kishte kërcënuar me armë në lokal edhe persona të tjerë në ditën kritike duke shkaktuar panik tek klientët që kanë qenë të shumtë në lokal.
Pas arrestimit të të dyshuarit Fanol.G edhe dy të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë rast të grabitjes janë dorëzuar tek autoritetet policore.
Që të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë përderisa për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori kompetent.
Policia ka zgjeruar procedurën hetimore edhe në raste të tjera me dyshimin se të dyshuarit e njëjtë janë të përfshirë edhe në raste të tjera kriminale.