Arrestohen tre persona për trafikim me substanca narkotike
Prishtinë, 20 qershor - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), njësia në Prizren, sot rreth orës 02:00 ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prizrenit, me çrast ka arrestuar tre persona të dyshuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.
Personat e arrestuar janë: L. K. lindur me 1978, A. M. lindur me 1985 dhe C. T. lindur me 1988 m/t/k
Bazuar në hetimet preliminare të hetuesve policorë nga kjo njësi dyshohet se personat tanimë të arrestuar, duke vepruar në grup, në intervale të ndryshme kohore, në rajonin e Prizrenit dhe më gjerë kanë bërë shitjen e substancave narkotike të llojit marihuanë.
Gjatë këtij operacioni policor janë kryer edhe bastisje dhe cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar gjësendet në vijim.
· 1468, 03 gramë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë,
· karikator i armës automatike AK-47 dhe një pjesë përcjellëse, e cila vendoset në tytën e armës automatike AK-47, 1 automjet BMW, 1 automjet Mazda, 4 telefona mobilë me SIM kartela dhe 1 SIM kartelë
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer me autorizim të prokurorit përkatës dhe ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për të vazhduar me procedurat e mëtejshme.