Arrestohen tre persona për narkotikë, substanca psikotrope dhe analoge
Prishtinë, 3 gusht - Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, kanë ndërmarrë operacionin policor, nën dyshimin e bazuar se disa persona të dyshuar po transportonin substancë narkotike, duke kryer me këtë rast veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Pas realizimit të procedurave hetimore intenzive, operacioni policor është zhvilluar në fshatin Shakovicë të Podujevës, me çrast janë ndaluar 3 persona të dyshuar, kurse një tjetër është në arrati.
Njëri nga tre personat e dyshuar, tani më i arrestuar nga Policia është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë operacion të arrestuar janë personat me iniciale si në vijim: G. D. lindur me 1974; Sh. H. lindur me 1968; A. H. lindur me 1970
Me urdhër të Gjykatës Themelore është bërë kontrollimi në pesë lokacione të ndara, dy në Prishtinë dhe tri në Pejë, ku gjatë këtij operacioni si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: dy automjete, 5200 gramë marihuanë, dhjetë telefona celularë, dy revole, 38 predha dhe 2500 euro/
Në asistencë ishin edhe njësitë e DTK-së (Drejtoria e Teknikës Kriminalistike), K9 (Njësiti me qen) si dhe hetues të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik-Pejë.
Ndaj të dyshuarve me vendim të prokurorit është caktuar ndalimi prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.