Arrestohen tre persona për krime kompjuterike
Prishtinë, 4 gusht - Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, pas pranimit të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta hetimore me FBI, ka identifikuar tre të dyshuar të cilët në vazhdimësi kryenin veprën penale të krimeve kompjuterike - vjedhje e të dhënave të ndryshme personale, bankare, shitjen online të programeve softuerike për infektimin e kompjuterëve.
Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit, është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të rastit, kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, me qëllim të mbledhjes të provave. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Gjilanit në dy lokacione dhe në rajonin e Mitrovicës në një lokacion.
Të dyshuarit janë: L. I. lindur me 1990; L. M. lindur me 1992 dhe L. Sh. lindur me 1989.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 6 laptop; 2 shtëpiza kompjuterike; 7 telefona mobil; 1 hard disk i jashtëm; 5 USB; 20 CD; 5500 euro dhe 1 veturë.
Personat e dyshuar me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës të mëtejme gjyqësore.