Arrestohen tetë zyrtar policor
Hetimi lidhur me këtë rast kishte filluar kohë më parë pas pranimit të një ankesë dhe informacioneve përmes rrugëve operative me dyshimin fillestar se një zyrtar policor ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Hetimi është zgjeruar duke përtfshirë si të dyshuar edhe disa zyrtarë tjerë policorë dhe ka përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës me urdhëresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake dhe me përkrahjen edhe nga Policia e Kosovës.
Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin “Jugu” me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim ndikimi”dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë hetuesit e IPK-së kanë realizuar kontroll në tri lokacione në Prishtinë ku në cilësi të provave janë konfiskuar gjësende të ndryshme.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.
Edhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka njoftuar se në vazhdën e aksioneve të , është edhe aksioni i sotëm që tregon fuqishëm përkushtimin e Prokurorit të Shtetit në luftën e pakompromis kundër korrupsionit.
Në aksionin e sotëm të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar tetë (8) persona, zyrtar policor të cilët dyshohen për veprat penale; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së, s “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” neni 195 ”, “Ushtrimi i ndikimit” neni 424, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike” sipas nenit 267.
Personat e arrestuar janë me inicialet; D.M, M.G, V.F, V.B, V.SH, R.S, B.J dhe M.K.
Aksioni i sotëm është realizuar edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Prokurorin e Shtetit dhe IPK-në.
Prokuroria thekson se për realizimin e aksionit të sotëm, kontribut shumë të madh ka dhënë edhe Policia e Kosovës, e cila që nga filimi i këtij rasti është angazhuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, me ç’rast ka rezultuar me arrestimin e 8 zyrtarëve policor.