Arrestohen shtatë persona të dyshuar për trafikim me njerëz
Prishtinë 16 janar - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në dy operacione policore të ndara që ka realizuar me 14 dhe 15 janar 2014 ka arrestuar 7 persona të dyshuar, me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale trafikim me qenie njerëzore dhe mundësim prostitucioni, si dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit.
Në operacionin policor të realizuar në rajonin e Prishtinës me datën 14/1/2013 pas një pune hetimore janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar, për të cilët dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale mundësim apo detyrim të prostitucionit.
Personat e arrestuar janë: A. T. lindur me 1986, SH. M. lindur me 1983, A. T. lindur me 1983, P. Ll. lindur me 1994 dhe A. M. lindur me 1986.
Operacioni tjetër policor është realizuar me datën 15.1.2013 në rajonin e Gjilanit, me çrast pas hetimeve paraprake janë arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale të trafikimit me njerëz, posedimit ilegal të armës dhe janë identifikuar dy viktima e trafikimit.
Gjatë këtij operacioni policor po ashtu janë konfiskuar këto gjësende: 1 revole e tipit Smith Weseone, 8 fishekë, para prej në vlerë prej 27.100 (njëzet e shtatë mijë e njëqind) euro, 1650 franga dhe 1000 dollarë.
Personat e arrestuar janë: D. H. lindur me 1977 dhe Z. D. lindur me 1981.
Viktimat e identifikuara nga policia janë që të dyja femra, shtetase të Kosovës, të cilat janë intervistuar sipas procedurave të parapara për raste të tilla dhe janë informuar organet përkatëse për mbrojtjen e viktimave.
Të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës dhe në të dy rastet ndaj personave tanimë të arrestuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedurat tjera hetimore.