23 Dhjetor 2024

Arrestohen shtatë persona për rastin “Brezovica 3”

Prishtinë, 3 mars - Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot, kanë realizuar aksionin “Brezovica 3” ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur dymbëdhjetë (12) lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, ku fillimisht janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar, tre (3) prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër (4) pronar të kompanive ndërtimore, ndërsa, gjatë ditës është arrestuar edhe një (1) person tjetër i dyshuar.

Tetë (8) personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës , “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-ës, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-ës..

Personat e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si "Brezovica".

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)