Arrestohen pesë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë
Prishtinë, 28 shkurt - Policia e Kosovës ka njoftuar se dje rreth orës 14:00 hetuesit policor të stacionit jugu në Prishtinë, kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë, që është raportuar me datën 10 shkurt.
Rasti ka ndodhur në lagjen Ulpiana në Prishtinë, saktësisht në një lokal, ku persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë, brenda lokalit dhe kanë vjedhur: Dy televizorë Plazma, të tipit Samsung dhe një monitor, pajisje këto që arrijnë vlerën rreth 1000 euro.
Puna e hetuesve policor të stacionit jugu në Prishtinë, lidhur me rastin në fjalë, është finalizuar dje, ku pas marrjes së disa veprimeve operative, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit: F.T. mashkull, 19 vjeç, A.A, mashkull, 21 vjeç, V.B, mashkull, 22 vjeç, M.H, mashkull, 31 vjeç si dhe A.Z, mashkull, 33 vjeç.
Pjesë e aksionit të hetuesve policor, ka qenë edhe bastisja e disa lokacioneve, ku janë gjetur dhe konfiskuar, pajisjet që janë raportuar si të vjedhura si dhe 75 qese me substance narkotike që dyshohet të jenë marihuanë.