Arrestohen pesë persona të dyshuar për veprimtari kundër rendit kushtetues
Prishtinë, 10 korrik - Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit.
Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar pesë persona, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë.
Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë.