Arrestohen pesë persona të dyshuar për krime ekonomike
Prishtinë, 30 gusht - Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit pas një pune hetimore disa mujore, me 28 gusht në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar, me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale; shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, kontrabandim me migrant , ushtrim i ndikimit, falsifikim i dokumentit dhe shantazh.
Gjatë këtij operacioni policor me urdhëresë të gjykatës së qarkut në Prishtinë janë kryer bastisje në tri lokacione, dy në Prishtinë dhe një në qytetin e Drenasit.
Personat e arrestuar ne ketë operacion policor janë:
Sh. K. - m/sh/kosovar, Xh. K. - m/sh/ kosovar, M. M. - m/sh/kosovar, B. H. - m/sh/kosovar dhe J. K. - m/sh/kosovar
Bazuar në hetimet e hetuesve policor dyshohet se personat e arrestuar në bashkëveprim gjatë kohës sa kanë punuar në pozita të ndryshme në institucionet e Kosovës, kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare duke lëshuar dokumente zyrtare për qytetar të ndryshëm me qëllim pajisjen me viza për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deri më tani hetimet kanë zbuluar se këta persona në bashkëpunim kanë lëshuar dokumente zyrtare dhe me këto janë pajisur dhjetë (10) persona të cilët duke mos qenë zyrtar të institucioneve të Kosovës, janë pajisur me viza për të udhëtuar jashtë Kosovës dhe më pas të njëjtit nuk janë kthyer fare në Kosovë.
Të dyshuarit për të pajisur personat me viza kanë përfituar nga qytetarët shuma të mëdha parash në vlerë deri (20.000) njëzet mijë euro .
Të gjitha hetimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe në bashkëpunim me institucionet relevante në Kosovë, duke përfshirë edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Me autorizim të prokurorit përkatës personave të dyshuar ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.