Arrestohen për prostitucion dhe kërkim lëmoshë
Prishtinë, 23 maj - Tre të dyshuar përfundojnë në prangat e policisë pasi që kishin sjellë nga Shqipëria viktimat, duke i detyruar të merreshin me prostitucion si dhe me kërkim lëmoshë.
Policia e Kosovës, më konkretisht Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ)-Pejë, ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz dhe kontrabandim.
Fillimisht policia kufitare në pikë-kalimin kufitar-dalje, në Qaf-Prush ka ndaluar veturën e llojit Opel Kadet, në të cilin ishte ngasësi i veturës dhe katër pasagjerë, ku pas dyshimeve të bazuara nga ana e policisë është bërë identifikimi i të gjithë personave që gjendeshin brenda në veturë.
Policët kishin pranuar informatën se gjatë kohës sa kanë qëndruar në Kosovë viktimat ishin shfrytëzuar nga të dyshuarit duke i trafikuar dhe duke i shtyrë që të merren me prostitucion dhe kërkim lëmoshë.
Të dyshuarit e arrestuar janë: L. J. lindur më 1977, A. B. lindur më 1985, G. F. lindur më 1966 te tre nga komuniteti Rom.
Njësia nga policia kufitare dhe Njësia e trafikimit të qenieve njerëzore në Pejë janë marrë me hetimin e këtij rasti si dhe kanë njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Dy viktimat janë marrë nga njësia që merret me luftimin e kësaj dukurie për tju ofruar trajtimin e duhur, ndërsa vetura është konfiskuar nga njësia e hetimeve rajonale.
Me urdhër të prokurorit përkatës të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.