Arrestohen njëmbëdhjetë zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë
Prishtinë, 12 dhjetor - Sot rreth orës 9:00, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion të gjerë policor në disa lokacione, me çrast ka arrestuar njëmbëdhjetë persona, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë.
Personat e arrestuar janë: E. B. i lindur në vitin 1984, R. Z. i lindur në vitin 1984, K. G. i lindur në vitin 1986, A. J. i lindur në vitin 1985, L. B. i lindur në vitin 1987, A. H. i lindur në vitin 1988, G. M. i lindur në vitin 1984, M. B. i lindur në vitin 1984, A. H. i lindur në vitin 1984, K. M. i lindur në vitin 1988 dhe M. M. i lindur në vitin 1983.
Bazuar në hetimet policore personat e dyshuar, tashmë të arrestuar nga policia, gjatë periudhës kohore nga viti 2009 e deri në përfundim të vitit 2012, me qëllim të përfitimit material kanë pranuar shuma të ndryshme të parave (nga 4 mijë deri në 10 mijë euro) me qëllim të regjistrimit të studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, të Edukimit etj., duke u shërbyer me organizata studentore.
Të njëjtit po gjatë kësaj periudhe kanë përfituar shuma nga 100 deri në 500 euro, për kryerjen e provimeve nga lëndë të ndryshme mësimore, duke hyrë në provim në vend të studentëve tjerë, si dhe duke intervenuar tek profesorët për marrjen e notave kaluese.
Të gjitha veprimet dhe hetimet policore janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe me autorizimin e tij ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore, ku mund të ketë zgjerim të hetimeve edhe ndaj personave të tjerë.