Arrestohen katër persona për krim të organizuar
Prishtinë, 1 tetor - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit sot në orët e hershme të mëngjesit, duke zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë, ka realizuar një operacion policor me çrast ka arrestuar katër persona të dyshuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, kontrabandim dhe shmangie nga tatimi.
Personat e arrestuar janë: G. V. i lindur me 1962; M.V. e lindur me 1966; S. G. i lindur me 1958; F. V. i lindur me 1965.
Operacioni policor ka filluar duke bastisur disa objekte të ndryshme në 5 lokacione të ndryshme në komunën e Pejës kryesisht në vendbanimet e personave të lartcekur, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore 2006-2008 kanë kryer veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, kontrabandim dhe shmangie nga tatimi, duke vepruar si grup i organizuar në periudhën kohore 2006 -2008 kanë kontrabanduar sasi të mëdha të naftës dhe derivateve të saj nga Mali i Zi në Kosove pa paguar detyrime doganore dhe taksat tjera.
Në operacion kanë marrë pjesë dhe kanë asistuar edhe zyrtarë kompetentë nga Dogana e Kosovës dhe Administrata e Kosovës.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim me prokurorin kompetent dhe ndaj të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orë për të vazhduar me procedurat tjera hetimore.