Arrestohen katër persona për kontrabandim të migrantëve
Prishtinë, 22 shtator - Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas hetimeve intensive të kryera për disa muaj, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi të organizuar, që në vazhdimësi merrej me kontrabandim të migrantëve për në shtetet e Bashkimit Evropian sot në rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, ka ndërmarrë një operacion policor, me çrast janë arrestuar katër persona të dyshuar si dhe janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tyre.
Të dyshuarit në bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë, kanë arritur në mënyrë të organizuar të kontrabandojnë persona nga Kosova në drejtim të shteteve të BE-së për përfitime materiale të kundërligjshme. Për këtë rast, ka pasur shkëmbim informatash me disa shtete të BE-së.
Ky grup gjatë kryerjes të kësaj veprimtarie kriminale ka përdorur rrugët nga Kosova përmes territorit të Serbisë për në Hungari, me qëllim që nga aty të vazhdonin për në shtetet tjera evropiane.
Për transportimin e viktimave janë shfrytëzuar mjete të ndryshme të transportit, si vetura dhe linja të rregullta të autobusëve për në Serbi.
Çmimi për një migrant sillej nga 2500-3500 euro, varësisht destinacionit të fundit. Gjatë procesit të deritashëm të hetimeve janë identifikuar rreth 45 viktima të këtij krimi, të cilët ishin mashtruar. Migrantët e identifikuar i përkasin të gjitha rajoneve të Kosovës.
Të dyshuarit e arrestuar janë: V. L. lindur me 1967; F. A. lindur me 1987; D. L. lindur me 1993 dhe S. R. lindur me 1987
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: para të gatshme 4400 (katër mijë e katërqind) euro; një (1) armë e gjatë (gjysmë automatike); tri (3) armë të shkurta (revole); 46 fishekë të kalibër të ndryshëm; tri (3) vetura; pesë (5) telefona celularë; dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.
Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të prokurorit janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.
Hetimet e këtij rasti do të vazhdojnë për të identifikuar edhe të dyshuar të tjerë të mundshëm.