Arrestohen edhe tre persona të tjerë për grabitje të armatosura
Prishtinë, 31 janar - Njësitet policore të rajonit të Prishtinës edhe gjatë kësaj
jave kanë vazhduar aksionet e tyre policore, për arrestimin e personave të dyshuar për raste të grabitjeve të armatosura dhe dërgimin e tyre para organeve kompetente.
Operacioni i parë është zhvilluar në Prishtinë me datën 28.01.2013, ku është arrestuar një person i dyshuar i cili dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura. ( Në një market në fshatin Bardhosh, lokale në lojëra të fatit etj).
Personit të dyshuar, R. Salihu mashkull, 25 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i është konfiskuar, një veturë e tipit, VW Jetta, ngjyrë e verdhë, me targa të Republikës së Kosovës, veturë kjo që dyshohet të jetë përdor pas realizimit të grabitjeve, për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Operacioni i dytë i organizuar mirë nga hetuesit, është realizuar me datën 29.01.2013 në Ferizaj, ku për grabitje të armatosura të raportuara në rajonin e Prishtinës, (barnatore, bastore, postë, pompa derivatesh etj), është arrestuar, D. Krivaqa mashkull, 30 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i cili
ka qenë i kërkuar edhe më herët për grabitje të armatosura, nga ana e hetuesve rajonal të Prishtinës.
Personit në fjalë i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël e substancës narkotike e cila dyshohet të jetë marihuanë.
Puna e hetuesve rajonal të Prishtinës, ka rezultuar e suksesshme edhe dje, ku rreth orës 15:00, në Han të Elezit është arrestuar, T. Dashi mashkull, 20 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në raste të grabitjeve të armatosura.
Dy të dyshuarve të parë, iu është vazhduar masa e paraburgimit për një muaj, ndërsa me aktvendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i dyshuari i tretë po mbahet në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, për procedura të mëtejme.
Vlen të theksohet se për rastet në fjalë si dhe për raste të tjera të grabitjeve e vjedhjeve, policia po vazhdon operacionet, është në kërkim të disa personave të cilët i ka identifikuar, si të dyshuar të mundshëm për vepra penale kundër pronës dhe pasurisë.