Arrestohen dy të dyshuar për vepër grabitje me armë
Prishtinë, 1 prill - Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.
Operacioni i fundit është realizuar dje nga njësitet policore të Drenasit, me ç rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, për të cilët dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në një rast të grabitjes, që ka ndodhur 30.03.2016 rreth orës 20:30, në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit.
Rasti ka ndodhur, në një dyqan ku persona të dyshuar pasi kanë shtënë në ajër me armë zjarri, kanë arritur që nën kërcënimin e armës, të grabisin para të gatshme nga punëtorët e dyqanit.
Menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore dhe operative të cilat kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar:
Z. E, mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
B.M, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Personave të arrestuar pasi që u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me rekomandimin e Prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes. Vlen të përmendet se i dyshuari Z. E, dyshohet të jetë i përfshirë edhe ne një rast tjetër të grabitjes të ndodhur në tetor të vitit 2015, po në të njëjtin dyqan.