Arrestohen dy të dyshuar për falsifikim
Prishtinë, 8 mars - Hetimi i filluar kohë më parë me dyshimin se është kryer vepra penale e falsifikimit dhe legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë është vazhduar dje me kontrollin e kryer nga zyrtarët e DHKEK-së në Podujevë.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) pas një hetimi disa mujor ka arrestuar dje dy persona me dyshimin se personat me rastin e regjistrimit të veturave kanë bërë falsifikim të faturave të pagesave që kanë të bëjnë me taksat komunale dhe pagesa të tjera lidhur me sigurimin e veturave.
Hetuesit e DHKEK-së me këtë rast kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Komunale në Podujevë për kontrollimin e 5 zyre (filiale) të kompanive të sigurimit të automjeteve në Podujevë.
Në pesë lokacionet janë konfiskuar dëshmi që kryesisht janë dokumente të dyshuara.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Komunale në Prishtinë të dyshuarve A.B dhe M.E u caktohet masa e ndalimit policor për 48 orë me dyshimin se kanë kryer veprat penale falsifikim i dokumentit dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.