Arrestohen dy policë, një pylltar dhe tre qytetarë
Prishtinë, 14 dhjetor - Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë dhe Inspektoratin Policor, kanë ndërmarrë sot një aksion në regjionin e policisë kufitare në Lluzhan.
Saktësisht në stacionin policor Keqekollë, ku janë arrestuar dy policë nga stacioni policor Keqekollë dhe një pylltar, të cilët dyshohen për shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, si dhe tre qytetarë nga ky regjion për dhënie të ryshfetit.
Dyshohet se policët dhe pylltari për një kohë të gjatë në regjionin e fshatit Keqekollë ua kanë mundësuar disa personave të bëjnë prerjen dhe transportin e drunjëve në sasi të mëdha, të prera në pyll në mënyrë kundërligjore, për çka kanë marrë ryshfet nga këta persona, të cilët drunjtë i kanë shitur në vende të ndryshme.