Arrestohen dy persona të dyshuar për marrje të ryshfetit
Prishtinë, 27 shkurt - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht sektori për hetimin e korrupsionit, dje rreth orës 16:00 ka realizuar një operacion policor, me çrast ka arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.
Personat e arrestuar janë: P. Gj. i lindur me 1979 dhe L. M. i lindur me 1983.
Hetuesit policorë kishin pranuar një informatë se nga personat e dyshuar tashmë të arrestuar nga policia, që të dy zyrtarë në QKUK, njëri mjek dhe tjetri teknik medicinal, viktima mashkull shqiptar kosovar ishte shtyrë që për transportin e fëmijës së tij për ta dërguar prej QKUK-së në spitalin e Shqipërisë tu japë ryshfet dy zyrtarëve të QKUK-së.
Pas marrjes së kësaj informate me autorizim të prokurorit kompetent janë aplikuar masat e fshehta hetimore, me çrast të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar 100 euro, ku të njëjtit kanë pranuar se këto mjete i kishin pranuar nga viktima.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim dhe autorizim të prokurorit përkatës dhe të dyshuarit janë ndalur në qendrën e mbajtjes për procedurat e mëtejshme hetimore.