Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrant
Prishtinë, 31 gusht - Të enjten në ora 16:30 hetuesit policor nga Njësia e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë, me urdhëresë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ka realizuar një operacion policore me ç rast ka arrestuar personin Idriz G. i lindur me 1986 mashkull shqiptar kosovar me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Kontrabandim me migrant.
Si vazhdimësi e operacionit policor në fshatin Hajvali të Prishtinës, janë kryer bastisje në një shtëpi dhe një objektet përcjellëse pronë e personit të dyshuar.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale: dokumente dhe kopje të dokumenteve aziatike, dy palë targa të automjeteve, dokumente të një shtetasi kosovar, municione katër (4) fishek të kalibrave të ndryshëm, katër (4) karikatorë të AK 47, trembëdhjetë (13) mbajtës të fishekëve, një pjesë e tytës së armës si dhe dy pjesë për pastrim të armës.
Bazuar në hetimet preliminare personi i arrestuar dyshohet se ka kryer veprën penale duke bërë kontrabandim të personave shtetas të huaj të cilët kishin për qellim ta përdorin Kosovën si vend transit për të kaluar në vendet perëndimore.
Si pjesë e këtij operacioni policor në Prishtinë është arrestuar një person i cili dyshohet të jetë shtetas pakistanez, i cili është arrestuar pasi qe nuk ka poseduar asnjë dokument identifikues dhe ndërlidhet me të dyshuarin tani më të arrestuar.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit policore për 48 orë për të vazhduar me procedurat e mëtejshme hetimore.