Arrestohen dy persona të dyshuar për keqpërdorim
Prishtinë, 29 prill - Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren , pas hetimeve disa mujore sot rreth orës 14:00, ka realizuar një operacion policor i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar.
Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: B. J. viti i lindjes 1976 dhe R. G. viti i lindjes 1963.
Të dyshuarit në bashkëpunim kanë kryer veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar Neni 422 si dhe Legalizim i përmbajtës së rreme Neni 403, i Kodit Penal të Kosovës, duke keqpërdorur mjete financiare në vlerë prej 11.988 (njëmbëdhjetë mije e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë euro).
Këto mjete dyshohet se i kanë realizuar duke legalizuar dëftesa dhe certifikata shkollore, pa i portokoluar në baza ligjore si dhe duke bërë ndryshimin e notave në ditarë shkolle (dyshohet vetëm në ditarët e dy klasave për vitin 2009 2010 janë ndryshuar 139 nota).
Me urdhër të prokurorit të prokurorisë themelore ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.