Arrestohen dy persona të dyshuar pas informatës për rrëmbim
Prishtinë, 25 shtator - Dje rreth orës 12:00, hetuesit e stacionit policor veriu në Prishtinë, të mbështetur nga hetuesit rajonal, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprat, Privim i kundërligjshëm i lirisë dhe kontrabandim me emigrantë.
Policia informacionin e parë e ka pranuar si rrëmbim i një personi në lagjen Kodra e trimave në Prishtinë, dhe menjëherë ka ndërmarrë një aksion i cili është realizuar shumë shpejtë dhe ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar, B. Z mashkull 48 vjeç.
Tek i cili janë gjetur dhe konfiskuar një revole (Cal. 7.65) si dhe një karikator me 8 fishekë.
Lidhur me rastin në fjalë policia ka shoqëruar në stacion policor edhe viktimën, ku pas fazës fillestare të hetimeve, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se edhe
H. Q mashkull 42 vjeç, viktima e rastit të sipërshënuar është i përfshirë në një vepër tjetër penale (kontrabandim me emigrantë), dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Personat e arrestuar po mbahen në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, ata do të dërgohen në gjykatën kompetente pas përfundimit të veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, që do të ndërmerren nga ana e hetuesve.