Arrestohen dy persona për përdorim te armës apo mjetit të rrezikshëm
Pejë, 8 maj - Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të ditur se dje, rreth orës 23:00 Stacioni Policor në Klinë është njoftuar se disa persona të dyshuar janë duke shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave të cilët ishin në vendin e punës në fshatin Dollc të Klinës.
Menjëherë njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kontaktuar me viktimat të cilët kanë njoftuar lidhur me rastin dhe sipas tyre personat e dyshuar kanë tentuar të kryejnë vjedhje në një kompani.
Gjatë të shtënave nga ana e të dyshuarve nuk ka pasur persona të lënduar.
Hetuesit e Stacionit Policor në Klinë, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarit: G. G. i lindur me 1985 dhe R. I i lindur me 1987.Të gjitha veprimet policore janë koordinuar me prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalohen për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore, për veprën ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.