Arrestohen dy persona për kontrabandim me migrantë
Prishtinë, 15 nëntor - Sot rreth orës 06:00, Njësia e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare ka realizuar një operacion policor në rajonin e Ferizajt, me çrast ka arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale kontrabandim me migrantë dhe falsifikim i dokumenteve.
Personat e arrestuar janë: E. M. lindur me 1976 dhe L. B. lindur me 1973
Bazuar në hetimet preliminare të Policisë së Kosovës personat e dyshuar tashmë të arrestuar, në bashkëveprim dhe në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material, kanë siguruar dhe rregulluar dokumente të ndryshme të falsifikuara, kryesisht viza dhe letërnjoftime të shteteve të ndryshme të Evropës si dhe kanë aranzhuar dërgimin e shtetasve kosovarë në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, përmes rrugëve ilegale dhe me dokumente të falsifikuara.
Si pasojë e veprimeve të tyre kriminale shumë persona kanë pësuar jo vetëm materialisht por edhe fizikisht duke u maltretuar nëpër vendkalimet dhe zonat e ndryshme kufitare.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe me autorizimin e tij dy të dyshuar dërgohen në mbajtje për të vazhduar me procedurat tjera hetimore.